American RadioWorksDocumentariesJustice

Faqja 2 nga 19
Vrasjet për ditën me diell

AKIFI DHE DISA NGA FQINJËT e tij kishin njohur ca nga militarët nga patrullimet që ata kishin bërë në fshat, më herët kur ata kishin bastisur shtëpitë duke gjurmuar pjesëtarët e UÇK-së dhe duke tmerruar fshatarët.

"Ata kishin ardhur edhe herë të tjera duke kërkuar armë dhe para", tregon Aliu, 35 vjeç, njëri nga meshkujt e fshatit që ia kishte dalë t'i bishtnonte sulmit të militarëve. "Dhe, ata tërë kohën na kishin përsëritur se nuk do të na bëjnë gjë, në qoftë se ne vazhdojmë të rrimë urtë dhe të mos përkrahim terroristët, siç thoshin ata".

Gjatë patrullimeve të mëparshme, serbët edhe kishin mbajtur deri diku fjalën, gjë që kishte bërë që edhe fshatarët në masë më të madhe të mos përpiqen të lëshojnë fshatin, edhe pse kjo kishte qenë diçka e pamundur nga rrethimi i tepërt.

Mirëpo... 14 maji ishte një tregim në vete.

 
 

Një banor shqiptar i Qyshkut, Akifi, demonstron se si ai së bashku me 11 persona të tjerë ishin vënë në linjë dhe qëlluar nga militarët serbë. Shtëpia ishte djegur, por ky burrë ka shpëtuar. Atë e fotografon një hetues i të drejtave të njeriut.

(Foto: Stephen Smith)

"Ishim të rreptë, biles edhe më fëmijët dhe gratë", thotë Dushani, një tjetër luftëtar serb që kishte marrë pjesë në sulmin mbi Qyshkun dhe dy fshatrat e tjerë. "Nga një shtëpi, një shqiptar doli jashtë për të na pritur me bukë dhe kripë, që është një traditë serbe për t'i uruar mirëseardhje mysafirëve. Ne u ofenduam. Prandaj, njëri nga njerëzit tanë goditi gruan e shqiptarit me pushkën e tij dhe pastaj qëlloi fëmijën e tij. Pas kësaj, atë shqiptar e morëm me vete".

Akifi bashkë me disa komshinj të tij ishte ndodhur i rrethuar. "Na ndanë, ne, meshkujt, në tri grupe dhe na çuan tutje. Ishim 12 vetë në grupin tim. Na dërguan brenda shtëpisë së një komshiut tim dhe na vënë në vijë para murit të dhomës së ditës. Pasi që na shanë, kërkuan edhe më shumë para. Por, ne tashmë u kishim dhënë të gjitha paratë që kishim".

Dragani ishte njëri nga luftëtarët serbë që kishte shoqëruar Akifin dhe të tjerët drejt shtëpisë.

"Ne i morëm 11 ose 12 meshkuj. Konkluduam se disa prej tyre i takonin UÇK-së... Ju e dini mënyrën se si ne i shtyjmë ata të flasin - së pari i marrim në pyetje dhe pastaj u vendosim grykën e pushkës në kokë. I presim me thikë, në mënyrë që të pranojnë diçka".

"Një ushtar ia behu në derë", flet Akifi me që të qetë, "dhe ai tha: 'Në emër të Serbisë të gjithë jeni të pushkatuar'. Pas kësaj, ai hapi zjarr".

Një plumb e kishte kapur Akifin në kofshë, por ai kishte shpëtuar nga kufomat e vëllait të tij dhe një komshiu, të cilat kishin rënë mbi të. Para se vrasësit të niseshin, ata kishin futur në dhomën e ekzekutimit - ku Akifi qëndronte i shtrirë dhe i plagosur, mbuluar nga kufomat e të afërmve dhe komshinjve të tij - sfungjerë të zhytur me benzinë. Sipas Draganit, zjarri ishte menduar për të humbur gjurmët, posaçërisht kufomat.

Çuditërisht, Akifi ia kishte dalur të shpëtonte.

"Derën e dhomës e kishin kapluar flakët. Për fat, ishte një dritare aty afër", tregon Akifi. Në ato çaste ai kishte menduar se më mirë do të ishte sikur të dilte jashtë e të vritej nga plumbi, se sa të qëndronte e të ngulfatej nga tymi ose të digjej i gjallë. "Unë kërceva nga dritarja dhe ika fshahurazi deri te një fushë me barë të rritur". Akifi, kishte qëndruar aty për orë të tëra dhe kishte lidhur plagën me një leckë të shqyer nga këmisha.

Asnjë mashkull tjetër nga shtëpia nuk kishte shpëtuar. 11 persona kishin gjetur vdekjen nga rrebeshet e plumbave dhe ishin djegur.

Dy grupe të tjera të meshkujve nga fshati ishin shpënë në dy shtëpi të tjera, ishin pushkatuar dhe, njësoj, u ishte vënë zjarri. Për të qenë çudia edhe më e madhe, edhe dy meshkuj të tjerë kishin shpëtuar. Secili në njërën nga shtëpitë. Edhe ata rrëfejnë se kishin dalë për t'u vrarë nga plumbi, duke i ikur flakës.

Të premten, ditë e ngrohtë me diell, më 14 maj, të vitit 1999, në një kënd të Evropës dhe nën bombat e NATO-s, 41 meshkuj nga fshati Qyshk, ishin vrarë nga forcat e kombinuara militare serbe. Mosha: nga 19 deri në 69 vjeç.

Në mëngjesin e së njëjtës ditë, forcat serbe të sigurimit kishin sulmuar edhe dy fshatra të tjerë fiqnj, Pavlan dhe Zahaq, ku kishin dëbuar nga shtëpitë gratë, fëmijët dhe pleqtë, dhe kishin vrarë në tërësi 72 njerëz.

Një grua e re ishte ndarë nga kolona e të dëbuarve që ishin urdhëruar të mbanin rrugën drejt Shqipërisë dhe, që nga ajo ditë, ajo ka mbetur pa nam e nishan.

Tutje: Nga një i mbijetuar në secilin grup


©2018 American Public Media