Support American RadioWorks with your Amazon.com purchases
Search Amazon.com:
Keywords:
  • News/Talk
  • Music
  • Entertainment
American RadioWorksDocumentariesJustice

Faqja 3 nga 19
Nga një i mbijetuar në secilin grup

TASHMË KISHIN KALUAR DY MUAJ qëkur kishte ndodhur masakra.

Nëntë luftëtarë shqiptarë, të urdhëruar nga komandanti i tyre, ngritën pushkët e tyre me bajoneta drejt qiellit të kaltër të verës dhe qëlluan tri herë në ajër. Teksa të shtënat gjëmuan në fshatin e dërmuar nga lufta në Kosovën Perëndimore, pjesëmarrësit në ceremonialin mortor, të mbledhur rreth varrit të madh, iu dorëzuan një ndenje dëshpëruese.

Për gruan me shami të zezë rreth kokës dhe fëmijët e saj që dënesnin, të shtënat nga garda e nderit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, risollën tmerrin e dy muajve më parë, kur shumica e meshkujve të fshatit ishin ekzekutuar nga skuadronet serbe të vdekjes.

Një grua, burri dhe dy bijtë e së cilës ishin vrarë, donte të hidhej dhe të mbulonte me shtatin e saj varrin, duke përsëritur me zë që të ngjethte mishtë: "Unë duhet të jem me ju".

Atë me vështirësi e ndalnin prej qëllimit kushërinjtë e saj.

 
 

Dy banorë të Qyshkut, të cilët e kanë mbijetuar sulmin e 14 majit në fshat. Që të dy kanë humbur etërit dhe vëllezërit në masakër.

(Foto: Stephen Smith)

Ceremonia e zbehtë mortore, njëra nga disa që janë mbajtur dhe mbahen në Kosovën e pasluftës, më në fund shënonte kohën kur familjet e tmerruara mund të mbledhen në mënyrë të pabezditshme për ta dhënë nderimin e fundit për të vrarët dhe të masakruarit gjakftohtësisht në shumë pjesë të Kosovës.

Akifi, i veshur me një setër të thjeshtë të zezë, këmishë të vjetër të bardhë dhe këpucë të zeza, qëndronte në mesin e pjesëmarrësve në ceremonial. Sjelljet e tij mund të mashtrojnë, ngase ato nuk shprehin dhimbjen dhe vuajtjet që ai ka përjetuar si njëri nga vetëm një dorë meshkujsh që kanë mbijetuar sulmin e rrufeshëm mbi fshat.

"Ky është vendi ku na kanë mbledhur", tregon ai, si për një gjë me të cilën është mpleksur qysh se di për vete. "Këto na tubuan para se të na ndanin, ne, meshkujve nga gratë dhe fëmijët".

I shtrirë në një rajon me ara të plleshme dhe buzë Lumit të Bardhë, Qyshku, është një fshat i vogël, i cili gjallon nën hijen e rëndë të kreshpave të larta të Bjeshkëve të Nemuna. Disa fshatin e konsiderojnë edhe si një paralagje të Pejës, qytetit vetëm dy ose tri kilometra më tutje, i cili ishte boshatisur thuaja tërësisht nga popullata shqiptare dhe pastaj ishte djegur në një masë të madhe, po ashtu.

Me ikjen e forcave serbe dhe me hyrjen në Kosovë të trupave të NATO-s, pas afro tre muaj bombardimesh nga qielli, ishin krijuar mundësitë që të hulumtohet për të vërtetën në vendin që kishte hequr të zitë e ullirit për shumë kohë.

Së bashku me NATO-n ia kishin behur edhe hetuesit nga Tribunali i OKB-së për krimet e luftës bashkë me grupet e tjera për të drejtat e njeriut. Ata tash bëjnë përpjekje për të kuptuar se çfarë, në të vërtetë ka ndodhur në Kosovë dhe kush i ka kryer vrasjet. Sipas kësaj logjike, një vend ideal për këtë punë paraqiste padyshin Qyshku.

Ndoshta edhe më parë keni dëgjuar për Fred Abrahamsin, hulumtuesin e "Human Rights Watch", një organizate joqeveritare me seli në SHBA, e cila merret me hulumtimin e krimeve të luftës, si dhe abuzimet e tjera të të drejtave të njeriut. Abrahamsi, një njohës i gjuhës shqipe, deri më tash ka kryer hulumtime të shumta në shumë pjesë të Kosovës, në Shqipëri dhe në Maqedoni, gjatë disa vjetëve të shkuar. Ai kishte parë shumë tmerre, shumë vende masakrash dhe shumë vrasje. Mirëpo, ajo që e kishte qitur Abrahamsin në rrugë të madhe gjatë ceremonisë mortore të viktimave në Qyshkut, ishte se ky fshat dallonte për një gjë nga vendet e tjera që kishte parë ai. Këtu disa njërëz që kishin parë zjarrin dhe breshërinë e plumbave që vinin në drejtim të tyre nga vrasësit serbë ia kishin dalur të mbijetonin. Rrëfimet e të mbijetuarve, si ato të Akifit dhe Lules, ishin të përqëndruara më shumë në detaje, gjë që i kishte shtyrë hulumtuesit të hyjnë më thellë në trungun e rrëfimit.

Intervistat që hulumtuesit kanë bërë me të mbijetuarit e masakrave bërë që të ngritet aktakuza nga Tribunali i Hagës kundër Slobodan Milosheviqit dhe katër bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë.

Qeveritë perëndimore përllogarisin se më se 10.000 shqiptarë janë vrarë ose zhdukur, edhe pse deri më tash janë zbuluar vetëm rreth 3.000 kufoma. Në anën tjetër kanë mbetur të pahulumtuara edhe më se 500 vende të dyshuara si varreza masive.

Ndërkaq, akoma më shumë, ajo që kishte shtyrë Abrahamsin në Qyshk, ishte edhe një gjë tjetër. Militarët serbë nuk kishin qenë edhe gjithaq të kujdesshëm.

"Një gjë shumë e rëndësishme për Qyshkun", thotë Abrahamsi," është se në secilën nga tri shtëpitë ka nga një të mbijetuar. Njerëz që mund të tregojnë me saktësi se si kanë ndodhur ekzekutimet".

Tutje: Nga një i mbijetuar në secilin grup