American RadioWorksDocumentariesJustice

Faqja 17 nga 19
A do të gjykohen kriminelët e luftës nga terreni?

PRANIMI I DRAGANIT - militarit nga vazhdimet e mëparshme - se ka kryer ekzekutime masive dhe se ka marrë pjesë në deportimet në fshatin Qyshk, automatikisht e rangojnë atë në radhën e kriminelëve potencialë të luftës. Megjithëkëtë, ekspertët e drejtësisë ndërkombëtare spikasin se ai, si dhe personat që kanë bërë gjëra të ngjashme, ka gjasa të mëdha të kalojnë pa marrë dënimin e merituar. Për më tepër, Dragani dhe pjesëtarët e tjerë të grupeve militare të nivelit "tokësor", që kanë kryer masakrën në Qyshk dhe në shumë vende të tjera në Kosovë, mund edhe fare të mos çajnë kokën se do të ndiqen ndonjë ditë nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi, në Hagë.

Dennis Milner, hetues i OKB-së për krime të luftës, thekson se puna e ekipit të tij do të vazhdojë të fokusohet thuaja tërësisht në rangun e lartë të regjimit të të kryeakuzuarit për krime lufte, kryetarit 'jugosllav" Slobodan Milosheviq.

"Mund të thuhet se Tribunali as që është themeluar ndonjëherë ose kurrë nuk ka pasur për qëllim të vihet pas gjykimit të akterëve të krimeve në nivelet e ulëta", thotë Milner. "Ne do të insistojmë në atë se ata në krye janë personat përgjegjës... dhe se ata, duke qenë të implikuar, kanë tërhequr këmbëzën".

 
 

Nevojtorja ku Qaush Lushi, 51, është qëlluar dhe prerë për vdekje. Hetuesit e Tribunalit të Hagës i kanë rrethuar vrimat e plumbave me shkumës.

(Foto: Stephen Smith)

Disa avokatë që angazhohen për të drejtat e njeriut kritikojnë një strategji të këtillë, ngase shumë keqbërës dhe kriminelë nga terreni mund t'ia dalin mbanë me krimet e tyre.

M. Cherif Bassiouni, ish-hetues i OKB-së për krime lufte, i cili tash ligjëron në Universitetin De Paul në Chicago, pohon se edhe individët që kanë dhënë ndonjë mbështetje për vrasësit do të mund të gjykohen.

"Ata janë njësoj përgjegjës si dhe ata që kanë qenë në terren dhe që kanë vrarë njerëzit", thekson Bassiouni. "Ky është një koncept për përgjegjësinë në grup. Nuk ka ndonjë ndryshim nëse në një bandë kriminelësh, dy vetë qëndrojnë jashtë duke bërë roje ndërkohë që dy të tjerë ndodhen brenda duke plaçkitur ose vrarë. Që të katërt janë njësoj përgjegjës për krimin".

Sido që të jetë, Bassiouni mbështet fokusimin e Tribunalit të Hagës mbi Slobodan Milosheviqin dhe bashkëpunëtorët e tij të lartë. Çështja themelore, thotë ai, nuk është në dënimin e krimeve të kaluara, por në parandalimin e krimeve të ardhshme.

"Po, personat nga terreni kryejnë krimet", thotë Bassiouni. "Por, përderisa atyre të mos i jepen urdhrat për të bërë diçka të tillë, përderisa atyre nuk i garantohet imunitet, ata nuk do të dëshironin të bëjnë këtë krye në vete. Mënyra e vetme për të parandaluar këso lloj krimesh bëhet në do të kemi për cak liderët e tyre".

Me gjithë fokusimin e Tribunalit në udhëheqësinë serbe, ekipet e hetuesve kanë bërë hetime nëpër Kosovë për të mbledhur dëshmi dhe materiale të tjera. Disa javë pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, një ekip patologësh nga policia daneze që punojnë për Tribunalit, kanë vizituar Qyshkun. Ata kanë ekshumuar kufomat të djegura ose gjysmë të djegura, që janë varrosur në një varr masiv në qendër të fshatit, te varrezat, në vendin e njëjtë ku edhe ishin tubuar nga militarët serbë, më 14 maj. Patologët danezë, po ashtu, kanë nxjerrë plumbat nga dërrasat e nevojtores ku ishte vrarë dhe masakruar Çaush Lushi.

Në qoftë se njeriu që e ka vrarë Çaush Lushin do të identifikohet, bazuar në planin e OKB-së, ai do të gjykohej në gjykatat lokale në Kosovë dhe jo në tribunalin ndërkombëtar në Holandë. Mirëpo, sistemi lokal i drejtësisë vuan nga disa pengesa. E para, të gjithë të dyshuarit për krime kanë ikur në Serbi ose në Mal të Zi. E dyta, është mungesa e policëve dhe punëtorëve të tjerë të sigurimit që do të kapnin këta të dyshuar.

Në anën tjetër, zyrtarët e administratës së OKB-së në Kosovë, nuk mbyllin sytë edhe për dhunën që është ushtruar ndaj minoriteteve serbe dhe rome në vend, pas hyrjes së NATO-s. Administrata e përkohshme në Kosovë ka përllogaritur se rreth 300 njerëz janë vrarë në Kosovë, që kur lufta ka marrë fund. Por, përkundër kësaj, ekspertët e drejtësisë theksojnë se Tribunali nuk është i gatshëm të hetojë dhunën që është ushtruar gjatë kësaj periudhe kohore, ngase me juridiksionin e OKB-së mbulohen vetëm krimet e kryera gjatë luftës.

Tutje: Kush duhet të sjellë drejtësinë në vend?


©2018 American Public Media