American RadioWorksDocumentariesJustice

Faqja 18 nga 19
Kush duhet të sjellë drejtësinë në vend?

ËSHTË SHUMË E VËSHTIRË të besohet se të gjithë kriminelët që kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë do të gjenden prapa grilave. Ka kaluar një kohë relativisht e gjatë nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe ka pasur vetëm disa raste të arrestimit të disa të dyshuarve që kanë kryer krime lufte në Kosovë.

Kjo gjë ka filluar të brengosë shumë edhe të angazhaurit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Kjo e brengos edhe Fred Abrahamsin nga "Human Rights Watch".

"Gjykatat e kanë të vështirë të merren me hajnat e thjeshtë të xhepit e jo më me krime të luftës", thotë Abrahams. "Nuk mund të llogaritet shumë në këto gjykata. Ç'është e vërteta, kjo na vë në një pozitë të vështirë për kërkimin e drejtësisë. Unë dëshiroj të shoh kriminelët prapa grilave dhe është diçka frustruese ta dish se një gjë e tillë nuk do të ndodhë".

Sa i përket drejtësisë, një qëllim tjetër i NATO-s mbetet në pajtimin ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.

Në të njëjtën kohë që shqiptarët ishin mbledhur në ceremoninë e rivarrimit të viktimave të Qyshkut, në korrik të 1999-s, serbët nga fshati me të kaluar lumin, Gorazhdec, po varrosnin viktimat e tyre - një djalë të ri dhe një grua të moshuar, që ishin vrarë nga sulmues të panjohur.

Gorazhdeci është i vetmi fshat në komunën e Pejës, ku ende jetojnë pjesëtarët e minoritetit serb. Fshati tash ngjan në një oazë të rrethuar nga të gjitha anët me shqiptarët dhe ka një mbrojtje shumë të madhe nga forcat e KFOR-it. KFOR-i ka organizuar çdo javë disa autobusë, të cilët marrin serbët nga fshati, të enjten, i dërgojnë ata në Mal të Zi dhe i kthejnë prapa të premten.

Të mbijetuarit e Qyshkut shpesh kanë ngulur këmbë se disa nga militarët që i kanë sulmuar më 14 maj, kanë qenë nga fshati Gorazhdec. Ndërkaq që, me të përfunduar lufta, është aluduar se disa nga të dyshuarit për krime lufte kanë gjetur strehim në këtë fshat, gjë që nuk ka mundur të konfirmohet ndonjëherë. Forcat paqëruajtëse kanë kryer një bastisjenë këtë fshat, në fillim të vjeshtës, dhe kanë gjetur disa armë dhe municion, por nuk kanë arrestuar askë.

Flamur Kelmendi, koordinator i prokurorisë për qarkun e Pejës, që përfshin pesë komuna e edhe Qyshkun, thotë se për momentin nuk kanë mundësi të kapin të dyshuarit për krime lufte në Kosovë dhe për t'i sjellur ata para drejtësisë.

"Kjo është edhe vështirësia me të cilën përballemi", thotë Kelmendi. "Të dyshuarit për krime lufte nuk ndodhen në mesin tonë. Ata kanë ikur së bashku me forcat serbe që janë tërhequr në Mal të Zi ose në Serbi dhe dihet se ne nuk kemi ndonjë marrëveshje me organet e sigurisë nga këto vende, që do të mund të ndihmonte në kapjen dhe dorëzimin e këtyre personave".

Deri më tash në Pejë nuk është kapur dhe rrjedhimisht nuk është gjykuar asnjë kriminel lufte, edhe pse dihet se vetëm në komunën e Pejës janë më se 500 të vrarë gjatë kohës së luftës.

"Ne jemi të gatshëm të veprojmë në këtë drejtim, por na nevojitet ndihma", thekson prokurori Kelmendi.

Në anën tjetër, një punë të palodhur në mbledhjen e materialeve për krime - përfshirë këtu dëshmitë e të mbijetuarve, ekzaminimin e kufomave, identifikimin e tyre, identifikimin e kriminelëve dhe mbledhjen e të dhënave për ta e deri te fotografitë e këtyre keqbërësve - ka bërë edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, dega në Pejë.

"Besojmë të jetë një punë me shumë dobi kjo që kemi bërë dhe të gjithë ato që ia kemi dalë të mbledhim do t'ia dorëzojmë Tribunalit të Hagës", thotë Tahir Demaj, kryetar i këtij këshilli. "Materialet do t'ia dorëzojmë edhe prokurorit të qarkut. I mbetet pastaj Tribunalit dhe gjykatave lokale të merren me këto çështje".

Të mbijeturit theksojnë se zvarritjet në kapjen e atyre që i kanë marrë më të dashurit dhe që u kanë shkaktuar dëme të tjera, vetëm sa iu shtojnë dhimbjen, por ata dëshirojnë të besojnë se diçka do të bëhet për të kthyer drejtësinë në vend.

"Në mos nuk do të bëhet asgjë, nuk mbetet tjetër, vetëm që drejtësinë ta ndajë vetë", thotë Aliu, vëllai dhe babai i të cilit i janë vrarë në masakrën në Qyshk. "Njëherë do të më kërcet filmi dhe..."

Tutje: "Na duhet drejtësia sikurse plagës ilaqi"


©2018 American Public Media