American RadioWorksDocumentariesJustice

Faqja 16 nga 19
"Frenkit" - profesionistët e mistershëm

FORMACIONI MILITAR "FRENKI" (ose "Frenkijevci") është njëri nga njësitet më sekrete serbe që kanë luftuar në Kosovë dhe të cilët, sipas të gjitha gjasave, kanë marrë pjesë edhe në masakrën në Qyshk.

"Frenki" ka qenë pjesë e forcave speciale të sigurimit shtetëror të Serbisë, të njohur edhe si "Crvene beretke" (Beretat e kuqe), po ashtu. Emri i këtij njësiti militar rrjedh nga Franko Simatoviq, një komandant i mistershëm, i cili, siç raportohet, ka qenë koka e disa operacioneve të mëdha gjatë luftërave në Bosnjë dhe Kroaci.

Simatoviqi ka qenë i lidhur ngushtë, gjatë kohës së këtyre dy luftërave, me njësitet militare të Zhelko Razhnatoviqit - Arkanit dhe të Vojislav Sheshelit.

Gjatë luftës në Kosovë, "Frenki" ka qenë një njësit me disiplinë të lartë, që ka kryer operacionet e ashtuquajtura komando. Ata kanë qenë të njohur për armët e tyre të sofistikuara (prodhim perëndimor), radiolidhjet e veçanta dhe kapelat e gjelbra me strehë, të ngjashme me ato të kaubojëve. Zakonisht, kanë ngasur xhipa me ngjyrë të zezë ose të gjelbër, ndërsa preferonin modelin "Cherokee").

Sipas një komandanti të policisë serbe, "Frenkit" kanë përdorur emra të ndryshëm për operacione të ndryshme.

"Kanë pasur një autoritet të përgjithshëm. Ata mund të bënin çdo gjë. Kanë pasur armët për të cilat ne vetëm do të mund të ëndërronim".

Miloshi, një ish-pjesëtar i "Frenkit", thotë se ai kishte luftuar në Kroaci dhe se ishte rekrutuar nga ish-komandantët e tij.

"Kjo ka qenë një polici sekrete për likuidim dhe për operacione të nduarnduarshme", thekson ai. "Ishte diçka plotësisht ilegale - nuk ishte e shkruar në ligje ose në kushtetutë. Mirëpo, çdo shtet ka diçka të këtillë, edhe ato që pohojnë se mbrojnë të drejtat e njeriut, siç është Amerika".

"Ne shkuam në Kosovë në shkurt të vitit 1999. Ishim rreth 1.000 veta në grup. Ky numër sigurisht se është rritur me nismën e luftës, ndoshta në 1.500 njerëz. Ishin nga 20 ose 30 veta në secilin skuadron, në krye të të cilit qëndronte një komandant".

"Qëllimi ynë në fillim ishte shumë i thjeshtë, që të shkatërrojmë UÇK-në, bazat e tyre dhe shtetin e tyre ilegal... Mund të pyesni në Interpol dhe ata do t'iu thonë se çfarë lloji i bandave kriminale kanë qenë ata".

Miloshi përshkruan njësitin e tij si profesionist absolut, ndërkohë që përqesh njësitet e tjera, siç është për shembull "Munja".

"Ne ishim profesionistë. Ne nuk ishim të interesuar për të vrarë gra dhe fëmijë. Detyra jonë ishte që të vrisnim UÇK-në dhe kjo është ajo që bënim... Mendoj se një burrë që është i gatshëm të përdhunojë dhe të masakrojë civilët, dikush që mund të sulmojë një fshat vetëm për të masakruar civilë, prej cilitdo popull qoftë ai, ai person nuk i sjell lavd popullit të tij. Unë do t'i likuidoja të tillët në vend. Nuk do të kishte gjyq, vetëm ekzekutim".

Me përjashtim të bonueseve për operacionet speciale, sipas Miloshit, pjesëtarët e "Frenkit" kanë marrë paga prej rreth 8 mijë dollarësh në muaj, gjatë luftës në Kosovë.

"Kemi qenë të paguar mirë. Por, ne kemi qenë më të mirët dhe u kemi hyrë shumë rreziqeve". Ai thotë se kurrë nuk e ka parë me sy Simatoviqin. "Nuk e ka parë askush prej nesh. Ai është i këtillë".

Miloshi thotë se nuk ka qenë në Qyshk, por disa luftëtarë të tjerë pohojnë se "Frenkit" kanë qenë komandantët që kanë udhëhequr sulmin.

"Nuk kishin mundur ta qetësonin veten teksa kishte edhe ndonjë fshat shqiptar të pa pastruar", spikat një polic. "Kanë dashur të heqin qafe edhe fshatin më të fundit në rajonin e Pejës".

Tutje: A do të gjykohen kriminelët e luftës nga terreni?


©2018 American Public Media