Support American RadioWorks with your Amazon.com purchases
Search Amazon.com:
Keywords:
  • News/Talk
  • Music
  • Entertainment
American RadioWorksDocumentariesJustice

Faqja 15 nga 19
OPG - njësit që ka kryer masakrat në Abri, Reçak dhe në Qyshk

"GRUPI OPERATIV" (OPG) është një njësit elit antiterrorist për të cilin deri tashti nuk është ditur ose është ditur shumë pak ndër hetuesit e krimeve në Kosovë, si edhe nga organet e mediave. Sipas shumë dëshmive që ia ka dalë të mbledhë "American Radio Works", OPG-ja është formuar në Kosovë si një njësit elit antiterrorist. Bazuar në dëshmitë e disa luftëtarëve serbë, OPG-ja ka marrë pjesë në disa nga masakrat më famëkeqe në Kosovë, ndër të cilat është Abria e Ulët, Reçaku dhe Qyshku. OPG-ja është formuar nga policët më të mirë nga e gjithë Kosova, si edhe nga lokalitetet në Serbi. Sipas raportimeve, ky njësit është themeluar gjatë muajve të vonshëm të vitit 1997, ndërsa pjesëtarët e tij janë stërvitur në Serbi.

Një polic sekret i rangut të lartë ka bërë një përshkrim në detaje të këtij grupi militar: "Është paraqitur nevoja për një njësit të tillë, ngase në aksionet e fundit të njësiteve policore kundër UÇK-së, ato nuk ishin treguar edhe aq të efektshme dhe po pësonin dëme shumë të mëdha. 'Crvene beretke' (beretat e kuqe, forcat speciale të sigurimit shtetëror të Serbisë) ishin shumë të zëna për t'u inkuadruar në operacionet në pjesë të brendshme të Kosovës, ndërkaq që policia kishte nevojë për njësite që do të kryenin operacione të shpejta, të cilat do të zbatoheshin me një sekret të plotë".

"Këto njësite zakonisht kanë operauar me nga 12 ose 24 meshkuj në grup. Luftëtarët nga njësitet e tjera policore kanë pasur fare pak kontakte me OPG-në, posaçërisht në kohën para bombardimeve. Kjo ka qenë edhe arsyeja përse ata janë quajtur 'Magla' (mjegulla) - ata zhdukeshin pa lënë ndonjë gjurmë... OPG-së i ishin besuar detyra speciale, për të shkatërruar bërthamën e njësiteve armike, për të kryer sulme të befasishme dhe për të terrorizuar popullatën shqiptare. Kjo nënkupton edhe vrasjen e civilëve në rajonet e UÇK-së, me qëllim të shuarjes së çfarëdo dëshire ndër shqiptarë për të hyrë në radhët e tyre. Kështu ka ndodhur edhe ne Reçak. OPG-ja ka qenë një grup shumë i fuqishëm dhe shumë efektiv, por ata kanë marrë pjesë në shumë krime, ku kanë mbetur të vrarë shumë civilë".

Pjesëtarët e OPG-së kanë bartur uniforma të ndryshme për aksionet e ndryshme që kanë kryer, por ata ishin më së miri të njohur nga uniformat e tyre të zeza dhe për armët e tyre të prodhimit perëndimor. "Ata nuk kanë mbajtur armë ruse ose jugosllave, e dini, si ato AK-47. Ata kishin armët më bashkëkohore të NATO-s.

Ishte diçka impresive".

Pjesëtarët e OPG-së, të shumtën e rasteve kanë qenë të armatosur me pushkë automatike "Hekler-Koch". Burime nga policia serbe theksojnë se OPG-ja ka qenë nën kontrollin e drejtpërdrejtë të gjeneralit Obrad Stevanoviq, komandant i forcave të policisë speciale serbe dhe njëri nga komandantët më të rëndësishëm të Milosheviqit. Sipas të gjitha gjasave, OPG-ja ka qenë pjesë e "Specijalne Antiteroristicke Jedinice - SAJ" (Njësitet specilae antiterroriste) të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilat janë komanduar nga gjenerali Stevanoviq. E themeluar, më 1995 nga gjenerali Radovan Stjiçiq - Baxha, SAJ-i, sipas të gjithë përllogaritjeve, ka qenë njësiti më elit i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (me përjashtim të Departamentit të Sigurimit Shtetëror). Duke pasuar atentatin e kryer mbi themeluesin e këtij njësiti, Baxhën, tek ndodhej me të birin në restorantin "Mamma Mia" në një lagje të Beogradit, SAJ-i ka rekrutuar pjesëtarë të rinj në Kosovë dhe ka shtuar numrin e vet në rreth 1.000 meshkuj.

SAJ-i ka qenë posaçërisht i njohur për bartjen e uniformave të zeza, me të cilat janë dalluar nga njësitet e tjera militare që kanë vepruar në Kosovë, si edhe për armët e tyre nga Perëndimi, bazuar në dëshmi të shumta.

Tutje: "Frenkit" - profesionistët e mistershëm