American RadioWorksDocumentariesJustice

Faqja 14 nga 19
Ç'ka qenë njësiti militar "Munja"?

KUSH JANË PJESËTARËT e njësiteve serbe që kanë kryer krime në rajonin e Kosovës Perëndimore, posaçërisht në Qyshk, Pavlan dhe Zahaq? Kush i ka formuar ato? Kush i ka drejtuar ato? Cili ka qenë misioni i tyre? Këto janë pyetjet që kërkojnë përgjigje.

Më poshtë do të lexoni dëshmitë që për këto formacione i kanë dhënë vetë pjesëtarët e tyre, si dhe detajet e tjera të dala nga analizat dhe burimet militare perëndimore.

"Munja" (vëtetima) është formuar në fillim të vitit 1998, si një njësit që do t'iu kundërpërgjigjej sulmeve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që sa vete e shtoheshin në rrethinën e Pejës. Njësiti ishte menduar për të qenë si një krah i "Posebne Jedinice Policije (PJP)" (njësite spaciale të policisë) të Ministrisë së Punëve të Brendshme, bazuar në dëshmitë e disa luftëtarëve serbë. Munja ka pasur prej 30 deri në 50 luftëtarë dhe një numër të madh të automjeteve të blinduara, të cilat, me fillimin e bombardimeve të NATO-s, ishin strehuar në barakat e "Armatës Jugosllave" në Pejë.

Njësitet e "Munjas" kanë bartuar uniforma të njëjta të kamufluara, të njëjta me uniformat e PJP-së, ndërsa nganjëherë kanë ngjitur në krahë nga një shirit.

"Ata ishin djelmoshat të cilët shkonin në vendet ku askush tjetër nuk dëshironte", shpjegon një rezervist serb policie. "Kur këta ishin në vijën e parë, para nesh, dëmet që pësonim ishin të reduktuara në minimum. Dhe është e vërtetë, 'Munja' shkatërronte çdo gjë, dhe kur them çdo gjë, ajo edhe do të thotë mu çdo gjë".

Sikurse edhe militarët e tjerë serbë, "Munja, po ashtu, financohej nga lidhjet joformale me komandantët e policisë dhe armatës, si dhe nga qarqet e ndryshme politike. Disa luftëtarë kanë dëshmuar se ky grup ka pasur lidhje të ngushta në Pejë me anëtarët e Partisë Radikale Serbe (SRS) të Vojislav Sheshelit dhe me zyrën e prefektit të Pejës, Jovo Popoviqit.

Gjatë luftës, Jovo Popoviq ishte zëvendës i komandantit të "Shtabit të krizës" për qarkun e Pejës, i emëruar nga "Armata Jugosllave".

Një lidhje tjetër e tyre ishte edhe me shefin e policisë ushtarake në Pejë, i cili është raportuar t'u ketë dhënë "Munjas" qasje në informatat dhe operacionet në këmbim me një pjesë të vlerave të plaçkitura nga shqiptarët.

Komandant i grupit militar "Munja" ka qenë Nebojsha Miniq, një kriminel me dosje të trashë dhe me një stazh bukur të gjatë nëpër burgje. Ai veten e quante "Mrtvi" (i vdekuri). Por, sipas shumë përllogaritjeve, truri militar i këtij grupi famëkeq ishte polici i njohur serb, Vidomir Shalipuri. Shalipuri, kohë më parë, iu kishte bashkëngjitur, si polic, njësitit special të quajtur "Operativna grupa (OPG)" (grupi operativ). Sipas një burimi nga policia, ai e kishte lëshuar OPG-në për "Munjan" "për të pasur më tepër autonomi në operacione dhe për të qenë komandant". Raportohet se ndër pjesëtarët e tjerë të "Munjas" kanë qenë: Miqo Martinoviq, Gjuro Kastratoviq, Milan Kaljeviq dhe Obrad Rajiqeviq.

"Munja" kishte marrë pjesë në disa përleshje të mëdha me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në mesin e të cilave edhe një në Jabllanicë. Shalipuri, veçanërisht njihet në mesin e disa policëve të tjerë, si shumë represiv që ka rrahur dhe terrorizuar shqiptarët e qytetit të Pejës edhe para se të fillonin përleshjet e para në Kosovë dhe para se të shfaqej UÇK-ja. Sipas ditarit të një serbeje, të gjetur pasi që ajo kishte lënë shtëpinë e saj në Pejë dhe ishte strehuar në Mal të Zi, shkruan se kur nënat shqiptare kanë dashur t'i vënë në gjumë fëmijët e vet, në vend të ninullave kanë kënduar: "Flej, flej, se po vjen Shalipuri". Sipas gjitha gjasëve, pjesëtarët e grupit "Munja" kanë qenë të lidhur mes vete edhe familjarisht. Mësohet se motra e Shalipurit ka qenë e martuar me komandantin tjetër të "Munjas", Sreçko Popoviqin. Disa luftëtarë serbë kanë dëshmuar se Popoviqi, i cili vinte nga Serbia e Jugut, ka aranzhuar transportimin e vlerave të vjedhura për në Serbi.

Burimet shqiptare kanë theksuar se Popoviqi, para luftës, ka kryer punën e mbikqyrësit të punëtorëve në birrarinë e Pejës. Ai tash, siç mësohet, ka hapur një kafeteri në Novi-Sad.

Me vrasjen e Shalipurit në një pusi në afërsi të fshatit Radac, në prill të viti 1999, kishin filluar edhe ditët e vështira për "Munjan". Me vdekjen edhe të disa pjesëtarëve të tjerë të grupit, mendohet se numri i luftëtarëve ishte zvogëluar dhe se pak prej tyre kanë mbijetuar.

Por, jo të gjithë luftëtarët serbë thonë fjalë miradie për aftësitë luftarake të militarëve "Munja".

"Ata gjithmonë i kanë fëlliqur punët", thotë një polic serb, detyra e të cilit kishte qenë të furnizojë me pajisje komunikimi dhe të përcjellë urdhrat nga komanda e policisë serbe në Prishtinë te njësitet militare. "Ata kanë qenë të pakujdesshëm. Nuk kanë qenë të disiplinuar... Por, ua kemi pasur nevojën".

Tutje: OPG - njësit që ka kryer masakrat në Abri, Reçak dhe në Qyshk


©2018 American Public Media