American RadioWorksDocumentariesJustice

Faqja 19 nga 19
"Na duhet drejtësia sikurse plagës ilaqi"

SHIRAT DHE I FTOHTI, që paralajmëronin një dimër të vështirë, e kishin zënë Akifin, bujkun që ka mbijetuar masakrën e tmerrshme, duke bartur materialin për t'i vënë kulmin shtëpisë së tij të djegur.

Tash edhe ajo ka kaluar.

Akifin, në vizitën tonë të fundit në Qyshk, e gjetëm të strehuar në shtallën, ku dikur kishte mbajtur lopët. Ajo tash ishte adoptuar si një shtëpi e vogël.

 
 

Varret e viktimave të Pavlanit, një fshati të afërt me Qyshkun, i cili po ashtu është sulmuar më 14 maj.

(Foto: Stephen Smith)

"Jetohet...", thotë shkurt Akifi, i thjeshtë si gjithnjë, pa dashur të ankohet.

Ne ia kemi dalur të zbulojmë se kush ka qëlluar mbi Akifin dhe 10 meshkujt e tjerë, të cilët kishin dhënë shpirt pranë tij. Ne kemi zbuluar se kush ka udhëhequr sulmin mbi Qyshk dhe zingjirin komandues që ka qenë prapa në organizim. Ne kemi zbuluar se luftëtarët serbë kanë qenë të motivuar nga hakmarrja, lakmia, detyra dhe frika.

Mbetet vetëm çështja e kohës! Pse sulmi ka ndodhur mu më 14 maj dhe jo më herët gjatë luftës? Vetëm komandatët e policisë dhe armatës së Milosheviqit e dinë përgjigjen.

Një mundësi: emri i Qyshkut më në fund kishte dalë në krye të listës së caqeve.

Plagët nga plumbat në trupin e Akifit tashmë janë shëruar dhe ai bën përpjekje, bashkë me ndonjë organizatë humanitare, të rindërtojë shtëpinë. Akifi beson se Perëndimi edhe do të sjellë drejtësinë në vend. "Jam thellë i bindur se ata do të përgjigjen në Hagë", thotë ai për kriminelët që kanë kryer masakrën në Qyshk. "Ata që janë fajtorë, ata që kanë duart e zhytura me gjak, ata do të dënohen".

Të mbijetuarit e tjerë, përfshirë këtu edhe Aliun, mësuesin 35 vjeç nga Qyshku, ngulin këmbë në teorinë për pasojat që mund të sjellin moskapja dhe dënimi i ekzekutuesve dhe komandantëve.

"Na duhet drejtësia sikurse plagës që i duhet ilaqi", thekson ai. "Në do ta leni plagën të hapur, në nuk do ta mbyllni atë, ajo kurrë nuk do të shërohet".

Aliu frikësohet se urrejtja do të vazhdojë edhe për një gjeneratë.

Lulja, 27-vjeçarja që ka mbijetuar masakrën dhe që ka varrosur eshtrat e babait dhe të shumë të tjerëve në varrezat e fshatit, rrëfen storien për vajzën 3 vjeçe, babai i së cilës është vrarë në masakër, po ashtu:

       Për çdo të lumen ditë, e bija kërkon t'et. Ajo pyet nënën e saj: "Ku është babi?". Nëna i përgjigjet: "Dil jashtë dhe vetëm thirre tri herë emrin e tij. Ai do të vjen shpejtë".

Vajza e vogël i thotë secilit se babai i saj ka shkuar në Gjermani për t'ia blerë një biçikletë.

Një ditë ajo kishte shkuar me nënën e saj te varrezat e fshatit për të kuptuar se ç'kishte ndodhur vërtetë. Vajza e vogël e kishte pyetur nënën: "A është ky vendi ku e kam babin?"

Dhe nëna ishte dorëzuar: "Po, babain e ke të varrosur këtu".

Vajza kishte filluar të qajë dhe kishte thënë: "Këtu e kam babin që ma kanë vrarë banditët dhe serbët". Pas kësaj ajo kishte filluar të gropojë me duar varrin, duke thirrur: "Ta nxjerrim babin prej këtu dhe ta çojmë në spital... ndoshta do të shërohet".




©2018 American Public Media